Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka kritikuar qeverinë e vendit të tij për mënyrën se si po menaxhon blerjet e armatimit. Ai tha se Kroacia ka marrë avionë të përdorur nga Franca, ndërsa Serbia ka blerë avionë të rinj.
Në një deklaratë të premten, e cituar nga “index.hr”, Milanoviq theksoi se qeveria po pengon ndërtimin e pesë anijeve patrulluese kroate, duke mos ndarë 12 milionë euro të nevojshme për këtë projekt. Ai shtoi se qeveria po mburret për ndihmën prej 15 milionë eurosh për Ukrainën, por kjo shumë nuk mjafton as për ngrohjen e një kazerme për një muaj.
Milanoviq gjithashtu krahasoi blerjet e avionëve luftarakë Rafale dhe tankeve Leopard, duke thënë se Franca ia ka shitur Kroacisë avionët e përdorur, ndërsa Serbisë i ka dhënë të rinj. Ai përfundoi duke pyetur: “A është kjo aleancë apo partneritet? Kjo nuk bëhet”.
Duke folur për tanket gjermane, ai shtoi se Lituania ka siguruar pjesët e nevojshme për mirëmbajtje, ndërsa Kroacia, pavarësisht traditës, nuk e ka bërë këtë.

