Një tjetër episod i rëndë është regjistruar në Tiranë, ku Policia ka arrestuar 43-vjeçaren Alma Bime, drejtoreshë e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, e dyshuar për shkelje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe për tentativë zjarrvënieje ndaj automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja u krye nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pas informacioneve se Bime kishte dalë nga banesa, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, dhe kishte tentuar të digjte makinën e ish-partnerit.
Zyrtarja ishte shoqëruar edhe më herët, në muajin dhjetor, pasi dyshohet se ka kanosur përmes mesazheve një shtetas të huaj dhe ka shkaktuar dëme materiale në banesën e ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori, duke djegur disa orendi shtëpiake.
Burime bëjnë me dije se Tomori jeton në një vilë trekatëshe në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios, ku kishte punësuar një shtetas të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, i cili banonte në katin e parë dhe kujdesej për ambientet e jashtme të pronës.
Sipas informacioneve të siguruara, konfliktet mes çiftit kishin nisur prej kohësh, ndërsa në një nga episodet e mëparshme Bime i ka vënë flakën krevatit në vilë. Më pas, përplasjet janë shtrirë edhe ndaj shtetasit të huaj, të cilin ajo e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-partnerin dhe e ka kërcënuar me heqjen e lejes së qëndrimit.
Denoncimi për ngjarjen është depozituar nga Mareglen Tomori, i cili ka paraqitur si provë edhe mesazhet kërcënuese, ndërsa dëshmitar në proces është marrë edhe punëtori i huaj.

