Reali i Madridit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Xabi Alonso me efekt të menjëhershëm, pas humbjes ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Vendimi i klubit madrilen vjen pas një periudhe zhgënjyese në drejtim të ekipit, ku rezultatet dhe loja nuk kanë qenë në nivelin e pritur.
Xabi Alonso mori drejtimin e Realit të Madridit gjatë verës, me pritshmëri të larta për një ringritje të skuadrës si në lojë, ashtu edhe në rezultate. Megjithatë, ish-mesfushori spanjoll nuk arriti të sjellë ndryshimin e dëshiruar, ndërsa ekipi vazhdoi të shfaqte paqëndrueshmëri në ndeshjet vendimtare.
Humbja ndaj rivalëve të përjetshëm, Barcelonës, në finalen e Superkupës rezultoi vendimtare për fatin e Alonsos në stolin e “Los Blancos”. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin, ndërsa pritet që në ditët në vijim të emërohet një trajner i përkohshëm ose një emër i ri për të marrë drejtimin e skuadrës.
Real Madridi synon të reagojë shpejt për të shpëtuar sezonin dhe për të rikthyer ekipin në garë për trofetë kryesorë.

