Inxhineri Romeo Nazarko, i njohur për denoncimet e tij mbi problematikat e infrastrukturës rrugore, ka folur sot në emisionin “News 24” lidhur me dëmtimet e rënda të rrugëve të reja, përfshirë tunelin e Llogarasë në Vlorë.
Sipas Nazarkos, shumë nga rrugët e reja nuk kanë kaluar një studim të plotë gjeologjik, duke përfshirë rrugën e Arbrit, tunelin e Llogarasë dhe segmentin Qukës–Qafë Plloçë. “Nga ajo që kam parë dhe verifikuar, pothuajse në të gjitha rastet mungon studimi gjeologjik, i cili është thelbësor për parandalimin e dëmtimeve,” tha ai.
Eksperti theksoi se problemi kryesor në tunelin e Llogarasë lidhet me ujërat nëntokësorë, të cilët po dëmtojnë strukturën e betonit. “Ujërat nëntokësorë bëhen shkak për shembjen e betonit. Nga ajo që dimë deri tani, tuneli nuk ka pasur hekur sipas ekspertëve, gjë që e rrit rrezikun e dëmtimeve,” shtoi Nazarko. Ai paralajmëroi se për shkak të këtyre problematikave, nuk do të përdorë më këto rrugë, duke preferuar akset e vjetra për udhëtim.
Nazarko gjithashtu nënvizoi se edhe moti i zakonshëm, pa rrebeshë të veçantë, mund të shkaktojë rrjedhje uji dhe dëmtime. “Situata doli në pah për shkak të motit të keq, por edhe shira të zakonshëm shkaktojnë rrjedhje uji që dëmtojnë betonin,” tha ai.
Duke u referuar edhe dosjes së ministrisë së linjës së zv/kryeministres Belinda Balluku, eksperti theksoi se mungesa e hekurit dhe e studimeve gjeologjike janë problem i përbashkët në shumë rrugë të ndërtuara kohët e fundit, përfshirë segmentin Qukës–Qafë Plloçë dhe Korçë–Ersekë. “Nga bisedat dhe dokumentacioni, duket qartë se këto rrugë nuk janë ndërtuar sipas standardeve të nevojshme, dhe kjo shpjegon dëmtimet që shohim sot,” përfundoi Nazarko.

