Uji në fusha dhe në serra dëmtoi prodhimin në fazë vjelje, ndërsa ngricat e dy ditëve të fundit kanë dëmtuar rëndë fidanët e sezonit të hershëm në zonat me bujqësi intensive në qarqet e Beratit, Lushnjës, Fierit. Ngricat ne ditën e parë të vitit, përmbytjet dhe sërish ngricat e dy ditëve të fundit i kanë dhënë goditje finale prodhimit më bujqësi intensive.
Ministria e Mbrojtjes raportoi se deri dje ishin përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë. Në zonat me bujqësi intensive të Myzeqesë, përmbytjet e fundit kanë prekur drejtpërdrejt fshatra të njohur për serat dhe prodhimin e hershëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në struktura, fidanë dhe tokë bujqësore.
Në territorin e Lushnjës, më të goditurat kanë qenë zona si Plug, Karavasta e Re dhe Krutje, ku uji ka hyrë në parcela me sera plastike, duke i mbajtur për ditë të tëra nën ujë dhe duke dëmtuar prodhimin e perimeve të stinës së hershme. Në Fier përmbytjet kanë prekur fshatra me traditë në kultivimin në sera, si Hoxhara, Suk 1 dhe Kallm i Madh. Në këto zona, uji ka mbuluar jo vetëm tokën bujqësore, por edhe rrugicat lidhëse dhe kanalet anësore, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë të fermerëve për shpëtimin e serave. Dëmet nuk janë kufizuar vetëm te prodhimi aktual, por edhe te përgatitja e tokës për ciklin e ardhshëm të mbjelljeve.
Mariglen Ziu, një fermer që kultivon sipërfaqe të mëdha me sera në Samaticë, tha se në qarkun e Beratit, përmbytjet kanë prekur veçanërisht fshatra përgjatë ultësirës dhe afër lumenjve, si Otllak, Velabisht dhe Kozare, ku toka me sera dhe kultura perimore ka mbetur e përmbytur për periudha të zgjatura. Kjo ka sjellë kalbje të rrënjëve, humbje të fidanëve dhe, në shumë raste, nevojën për të rifilluar të gjithë ciklin e prodhimit nga e para. Ngricat e dy ditëve të fundit dëmtuan të gjitha bimët e tjera që nuk ishin të mbuluara nga uji, tha ai.
Të dhënat zyrtare tregojnë se zonat e përmbytura kontribuojnë në 65% të prodhimit të perimeve në vend dhe dominojnë pothuajse 80% të eksporteve të prodhimeve të freskëta. Përveç dëmit që është krijuar në ekonominë e fermerëve, dëmtimet e këtyre ditëve pritët të ndikojnë negativisht në çmimet e pakicës të prodhimeve bujqësore dhe gjithashtu të ndikojnë negativisht eksportet e këtij grupi. Humbjet nga përmbytjet dhe ngricat janë më të mëdha se kapaciteti financiar i një familjeje bujqësore. Fermerët shqiptarë as marrin subvencione dhe as nuk janë të siguruar, kështu që janë ekspozuar totalisht ndaj humbjeve.
Burimi: Monitor.al
https://monitor.al/ngricat-pas-permbytjeve-rrafshojne-prodhimin-bujqesor/

