Duket se Uashingtoni i ka rikthyer në agjendë veprimet ushtarake kundër Iranit, në një kohë kur po ndodh një shtypje gjithnjë e më vdekjeprurëse ndaj protestuesve në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.

Raporte të pakonfirmuara thonë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë, edhe pse disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se numri i viktimave mund të jetë disa herë më i lartë, gjatë shtypjes së kryengritjes.

Protestat e javëve të fundit janë shndërruar në njërën prej sfidave më të mëdha ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.

Uashingtoni dhe Teherani kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime. Por presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime gjithsesi, duke pasur parasysh raportet për veprime brutale kundër protestuesve.

“Ne mund të takohemi me ta. Një takim po organizohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit”, u tha Trump gazetarëve më 11 janar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më 12 janar se Irani nuk po kërkon luftë, por është i përgatitur për të.

Nëse diplomacia dështon, SHBA-ja ka disa opsione ushtarake. Sulmet e kufizuara ndaj objektivave simbolike do të përfshinin më pak rrezik për forcat amerikane dhe për civilët, por sipas analistëve, ato mund t’i japin regjimit iranian mundësi të mobilizojë mbështetje patriotike dhe të zhvendosë vëmendjen nga protestat.

Një fushatë më e gjerë sulmesh kundër Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë objektivat raketore dhe strukturat e komandës, do të kishte më shumë ndikim, por paraqet rreziqe më të mëdha. Aktualisht, prania detare amerikane në rajon është e kufizuar, ndërsa disa aleatë në Gjirin Persik i kanë kërkuar Uashingtonit të shmangë veprimet ushtarake.

Ekziston gjithashtu frika e kundërpërgjigjes iraniane. Irani ka kërcënuar me hakmarrje ndaj çdo sulmi të ri amerikan, çka mund të çojë në përshkallëzim rajonal, ndërprerje të eksporteve të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe rritje të tensioneve me Izraelin.

“Gjendja e tanishme për Republikën Islamike është ekzistenciale. Kjo është një betejë që synon drejtpërdrejt thelbin e regjimit”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë Ali Mamouri, hulumtues në Universitetin Deakin në Australi, duke shtuar se në rast sulmi Irani ka gjasa të kundërpërgjigjet me të gjitha kapacitetet e tij.

Përveç opsioneve ushtarake, SHBA-ja mund të shqyrtojë edhe masa joushtarake, si bllokadë ekonomike të plotë ose sulme kibernetike ndaj sistemeve iraniane të komunikimit dhe vendimmarrjes, të cilat kanë ndodhur edhe më parë.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)

https://www.evropaelire.org/a/opsionet-ushtarake-shba-kunder-iranit/33646277.html

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *