Miliarderi amerikan Bill Ackman-i ka ndezur reagime të forta në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë, pasi dhuroi 10 mijë dollarë për një GoFundMe të hapur në mbështetje të Jonathan Ross, agjentit të Immigration and Customs Enforcement (ICE) që qëlloi për vdekje 37-vjeçaren Renee Nicole Good në Minneapolis, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Themeluesi dhe CEO-ja i Pershing Square Capital Management konfirmoi se ishte donatori më i madh i kësaj nisme, duke theksuar se qëndrimi i tij mbështetet te parimi ligjor se “një person konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia”. Ackman-i shtoi gjithashtu se kishte tentuar të kontribuonte financiarisht edhe në një faqe GoFundMe për familjen e Renee Good-it, por se ajo ishte mbyllur pasi kishte kaluar shifrën e 1.5 milionë dollarëve në donacione.
Faqja GoFundMe për Ross është krijuar për të mbuluar shpenzimet ligjore dhe mbështetëse të agjentit dhe, sipas të dhënave deri më tani, ka grumbulluar qindra mijëra dollarë. Organizuesi i saj e ka cilësuar Renee Good-in si “terroriste të brendshme” dhe ka deklaruar se veprimi i agjentit ka qenë “1000% i justifikuar”, deklarata që kanë intensifikuar debatet mbi mesazhin që përcjell kjo mbështetje financiare.

