Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz-i, ka deklaruar se regjimi në Iran mund të jetë duke hyrë në fazën e tij përfundimtare, ndërsa vendi po përballet me protesta të gjera antiqeveritare dhe me një izolim të zgjatur nga interneti, që ka shkëputur komunikimin me botën e jashtme për më shumë se 100 orë.

Gjatë një deklarate të bërë të martën nga Bangalore, në Indi, Merz-i u shpreh se një regjim që mbijeton vetëm përmes dhunës e ka humbur legjitimitetin.

“Kur një pushtet qëndron vetëm falë përdorimit të forcës, ai në thelb është i përfunduar. Besoj se aktualisht mund të jemi dëshmitarë të ditëve apo javëve të fundit të këtij regjimi,” tha kancelari.

Një ditë më parë, ai kishte dënuar ashpër veprimet e forcave iraniane të sigurisë ndaj protestuesve paqësorë, duke i cilësuar ato si të dhunshme dhe joproporcionale.

Protestat në Iran, të cilat konsiderohen më seriozet ndër vite, shpërthyen më 28 dhjetor në Teheran si pasojë e inflacionit të lartë dhe situatës së rënduar ekonomike. Ato u përhapën më pas në qytete të tjera të vendit dhe morën një dimension politik, duke u shoqëruar me trazira dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Autoritetet iraniane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e trazirave, ndërsa aktivistët raportojnë për përdorim të gjerë të dhunës ndaj protestuesve nga ana e forcave të sigurisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *