Rreth 900 hektarë tokë vazhdojnë të jenë të përmbytura në qarkun e Shkodrës, kryesisht në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Vau Dejës. Megjithatë, situata paraqitet më e qëndrueshme krahasuar me një ditë më parë, me ulje të niveleve të ujit në disa zona.

Në Obot, niveli i ujit ka rënë në aksin rrugor që lidh fshatin me rrugën kryesore, duke shënuar rreth 100 cm, nga 110 cm një ditë më parë. Banesat kanë ujë vetëm në oborre, pa depërtim në brendësi.

Në Malësi e Madhe, fshati Vukpalaj ka ende rreth 20 banesa me ujë në oborre, por niveli ka rënë. Nuk ka ujë në tokat bujqësore, ndërsa livadhet nga Vija e Vrakës deri në Gashaj mbeten të përmbytura për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat–Shirq, uji ka rënë rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Kanalet kulluese të tokave bujqësore mbeten të mbushura me ujë, por pa rrezik për banesat.

Sa i përket qarkullimit rrugor, akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë të kalueshme, megjithëse autoritetet paralajmërojnë për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimin e gomave dimërore ose zinxhirëve. Në Qafë Thorë nuk raportohet rrezik nga ortekët.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *