Qeveria ka vendosur të krijojë një shoqëri të re aksionare me kapital 100 për qind shtetëror për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit, në një kohë kur kontrata ekzistuese e sterilizimit me partneritet publik-privat (PPP) vijon të jetë nën akuza për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Vendimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, parashikon themelimin e shoqërisë “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” SHA, me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuar nga buxheti i shtetit për vitin 2026. Po ashtu, vendimi përcakton transferimin pa pagesë të aseteve që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare të nënshkruar në vitin 2015.
Krijimi i kësaj shoqërie shtetërore ngre pikëpyetje serioze mbi arsyetimin institucional dhe ekonomik të nxjerrjes së sterilizimit jashtë strukturave tradicionale spitalore. Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale konsiderohet një funksion thelbësor i çdo spitali publik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit dhe praktikën e përditshme mjekësore. Për dekada me radhë, ky shërbim është realizuar nga struktura të brendshme të spitaleve, pa pasur nevojë për një operator të veçantë juridik.
Kritikët theksojnë se institucionalizimi i sterilizimit përmes një shoqërie aksionare, edhe pse formalisht shtetërore, rrezikon të ruajë të njëjtin model kostosh dhe menaxhimi që është kritikuar gjerësisht në skemën PPP. Sipas tyre, krijimi i një entiteti të veçantë nuk garanton automatikisht ulje shpenzimesh, rritje efikasiteti apo transparencë më të madhe, veçanërisht në mungesë të një analize të qartë kosto–përfitim.

