Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, ngjarja e 15 janarit 1999 ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes. Përkujtimi i kësaj tragjedie do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh memoriale në të gjithë Kosovën.

Deklarata e William Walker, i cili e quajti ngjarjen “masakër ndaj civilëve”, tronditi komunitetin ndërkombëtar dhe nxiti përpjekje diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, duke hapur rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Masakra e Reçakut mbetet simbol i vuajtjeve të popullit dhe një dëshmi e rëndësisë së së vërtetës dhe drejtësisë.

Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë aktivitete përkujtimore për të nderuar viktimat dhe për të ruajtur kujtesën historike për brezat e rinj.

Në të gjitha shkollat e Kosovës mbahet sot ora e parë mësimore kushtuar Masakrës së Reçakut. Homazhe do të zhvillohen nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak në ora 09:00, ndërsa krerët e shtetit do të zhvillojnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak në ora 10:30. Akademia përkujtimore mbahet në ora 12:00 në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ndërsa në ora 13:00 hapet ekspozita “Çmimi William Walker 2026”, edicioni i dytë, ideatore Emine Jetishi. Në ora 15:00 zhvillohet finalja e futbollit të vogël në Turneun Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.

Dje, në shkollat e Komunës së Shtimes u mbajt ora e parë mësimore, ndërsa në Bibliotekën e Qytetit u organizua tryezë shkencore nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *