Në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026 është ndërmarrë një operacion sigurie në sistemin penitenciar. Mbi 30 të burgosur me rrezikshmëri tepër të lartë janë transferuar nga Burgu i Durrësit drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, i cili konsiderohet aktualisht si burgu më i sigurt në vend.

Transferimi është kryer pas mesnatës, nën masa të forta sigurie, me shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore dhe zbatim të protokolleve strikte. Burimet bëjnë me dije se të dënuarit kanë mbërritur në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15.

Ky vendim u mor menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, një ngjarje që tronditi rëndë sigurinë e burgjeve shqiptare dhe nxori në pah domosdoshmërinë për masa të menjëhershme riorganizimi dhe forcimi të kontrollit.

Sipas informacioneve zyrtare, 206 të dënuar dhe paraburgosur në Burgun e Durrësit janë rivlerësuar sa i përket nivelit të rrezikshmërisë. Urdhri parashikonte largimin e të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga ky institucion, i cili shpesh është cilësuar për kushte më komode, dhe sistemimin e tyre në një nga shtatë burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në Shqipëri.

Në Burgun e Durrësit ndodheshin gjithsej 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një strukture prej 54 të dënuarish dhe 152 paraburgosurish. Arratisja e Altin Ndocit, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, u bë shkak për nisjen e këtij operacioni të gjerë sigurie.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *