Nga Sebastian Zonja
Njeriu i sotëm që jeton anëkënd globit është evropiani. Dija, teknologjia dhe institucionet, nga Poli i veriut në Ande janë evropiane. Shkencat, të gjitha, janë evropiane. Mënyra se si komportohet njeriu me veten dhe natyrën është lente evropiane.
E thënë thjeshtë, njeriu i dy shekujve të fundit është evropian. Bashkë me identitetin e saj, Evropa shpiku edhe një njeri të ri pak shekuj më parë. Shkollat, kudo nëpër botë, janë përshtatur me arsyetimet e filozofëve evropianë. Shkencat, të gjitha degët që studiojmë nëpër fakultete, janë shpikje e evropianëve. Po ashtu, shkencat sociale, psikoanaliza, janë shpikje evropiane. Nuk e dimë se sa do jetojë ky njeri. Ndoshta vdes shekullin tjetër.
Ndërkohë, Lëvizja e Deçanit në Kosovë dhe simotrat e veta në Tiranë duan që të na islamizojnë. Të këtij mendimi janë edhe profesorë e shkrimtarë.
Sipas tyre, duke qenë se myslimanët e kanë islamin mënyrë jetese ndërsa evropiani nuk e ka më krishtërimin mënyrë jetese, e mira është që të kthehemi te Papa. Sa më shpejt që të kthehemi te Papati, aq më shpejt Evropa shpëton. Shpëtojnë edhe shqiptarët. Nëse myslimani shkon pesë herë në ditë në xhami dhe pyet hoxhën për shumë gjëra, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe francezi duke shkuar në Kishë dhe të pyesë priftin nëse është mirë me u pa në pasqyrë në darkë apo është gjynah!
Po ashtu, ftesa e Lëvizjes së Deçanit është shumë interesante, pasi na fton që të kthehemi në modernitetin e hershëm apo në Mesjetë. Duke qenë se ka konsensus të gjerë se moderniteti e zhvendosi Zotin nga rendi dhe e zëvendësoi atë me Njeriun, ftesa me vendos sërish Papën në qendër të Evropës është shumë interesante dhe meriton vëmendje të shtuar te publiku francez dhe britanik.
Për t’u kthyer në kohë, duke shkuar në Mesjetë, na duhet të pranojmë se bota mund të jetë e sheshtë dhe e rrumbullaktë njëkohësisht. Na nevojitet një lloj skizme brenda mendjes. “Evropiani”, siç e kuptojmë sot, që është njëkohësisht njohësi dhe i njohuri, objekti empirik i shkencave (biologji, ekonomi, gjuhësi) dhe subjekti trashendental që krijon dijen, lindi vetëm me modernitetin.
Pikërisht kjo kthesë antropologjike e bëri njerëzimin masën e të gjitha gjërave. Pak a shumë, evropiani e përcaktoi veten si nga forcat e jashtme (jeta, puna, gjuha) duke qenë njëkohësisht agjent sovran që i interpreton ato.
Ndërkohë, me zhvillimin e madh të medieve sociale si “X”, “Instagram” dhe “Facebook”, në agun e një epoke të re epistemike me mendimtarët e shquar të Lëvizjes së Deçanit dhe të fotografit Beni Blushi, ftesa ekzotike me u kthy tek epokat para-moderne është shumë interesante.
Për shembull, duke u kthyer në Mesjetën arbërore, ku dija dhe ekzistenca ishin teocentrike, do jetojmë shumë më mirë. Asokohe, Zoti ishte parimi i pafund i rendit, dhe njerëzit ishin krijesa të kufizuara që merrnin kuptim nga hyjësia.
Sot, duke qenë se “njeriu evropian” është duke vdekur, ftesa është për t’u kthyer te hierarkitë e lashta si race pellazge, komb ilir, dhe besimi parak fetar pagan. Meqënëse jemi evropianë siç janë italianët dhe spanjollët, komb i vjetër po aq sa ata, e vetmja gjë që na prish punë është besimi fetar. Kjo është tema e së djathtës identitare sot, teksa e majta radikale e dekonstrukton “njeriun modern” si shpikje eurocentrike dhe borgjeze që maskon pabarazitë e pushtetit në gjini, racë dhe klasë.
Kësisoj shfaqen politikat identitare dhe absolutizmi “woke”, një regjim tjetër ekstremist që sinjalizon krizën e sotme.
Mbi të gjitha, mos e harroni, Skënderbeu ishte në luftë me osmanët e poshtër!

