Pas largimit të Xabi Alonsos nga stoli i Realit të Madridit, vëmendja e opinionit sportiv është përqendruar te emri i trajnerit të ri. Dy figura madhore të futbollit europian përmenden më së shumti si kandidatë të mundshëm: Jyrgen Kloppi dhe Hose Murinjo.
Menjëherë pas ndarjes me Alonson, emri i Jyrgen Kloppit ishte i pari që qarkulloi në media, duke nxitur edhe reagimin e vetë teknikut gjerman. Kloppi mohoi çdo kontakt me klubin madrilen, duke shprehur rezervat e tij për situatën aktuale te Reali i Madridit.
“Telefoni im ka rënë, por nuk kam pasur asnjë telefonatë nga Reali i Madridit. Nëse Xabi Alonso tregoi te Bajeri i Leverkusenit se çfarë trajneri i talentuar është dhe për gjashtë muaj u shkarkua nga Reali i Madridit, kjo do të thotë se gjërat nuk janë 100 për qind në rregull në atë klub,” u shpreh Jyrgen Kloppi.
Nga ana tjetër, sipas gazetarit të njohur sportiv Alfredo Relanos, drejtuesit e Realit të Madridit kanë një plan tjetër. Sipas tij, emërimi i Arbeloas në stol është thjesht i përkohshëm, ndërsa objektivi i vërtetë i Florentino Perezit është rikthimi i Hose Murinjos.
Trajneri portugez nuk po kalon një periudhë të mirë te Benfika, por mbetet një figurë me autoritet dhe eksperiencë, e aftë për të rikthyer disiplinën dhe mentalitetin fitues në ambientet e Realit të Madridit.
Ndërkohë, Arbeloa shihet si një zgjidhje kalimtare. I njohur dikur si “spiun”, ai nuk perceptohet si një figurë që frymëzon, çka forcon bindjen se qëndrimi i tij në stolin e Realit të Madridit do të jetë afatshkurtër.
Në pritje të vendimit të Florentino Perezit, Reali i Madridit ndodhet përballë një zgjedhjeje që mund të përcaktojë drejtimin e klubit për vitet e ardhshme: qasja moderne dhe skeptike e Jyrgen Kloppit apo rikthimi i zjarrtë i Hose Murinjos në “Santiago Bernabeu”.

