Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, sipas së cilës Radio Televizioni Publik Shqiptar duhet të mbyllet. Ajo kërkon që mazhoranca të kërkojë falje për këtë qëndrim, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për interesin publik dhe në kundërshtim me parimet europiane.

Në një reagim në rrjetet sociale, Zhupa thekson se diskutimi për mbylljen e RTSH-së është hipokrit dhe antieuropian, pasi Bashkimi Europian kërkon që mediat publike të kenë financim të qëndrueshëm dhe pavarësi editoriale. Sipas saj, problemi i RTSH-së nuk është ekzistenca, por mënyra se si është menaxhuar nga mazhoranca ndër vite.

Ajo kujton se ka qenë një nga zërat më kritikë në betejat publike dhe institucionale kundër vendimeve politike që, sipas saj, e kanë çuar RTSH-në drejt degradimit. Zhupa nënvizon se në një periudhë kur institucioni përballej me vjedhje, shkarkime punonjësish dhe keqpërdorim fondesh, mazhoranca i quante këto veprime “reforma” dhe i promovonte publikisht si suksese.

Deputetja i fton qytetarët dhe institucionet të shohin procesverbalet e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik nga viti 2021 deri në maj 2025, si dhe deklaratat publike të asaj kohe, për të kuptuar qëndrimet kontradiktore të mazhorancës ndaj RTSH-së.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *