Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar bllokimin dhe tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve të qumështit formulë për fëmijë të markës “BEBA”, pas një alarmi të dhënë nga Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet shqiptare janë informuar përmes RASFF se kontrollet e kryera nga autoritetet italiane kanë zbuluar praninë e substancës Cereulide në formulë për fëmijë me origjinë nga Holanda, e cila konsiderohet një rrezik potencial për shëndetin e njeriut.
Produktet e identifikuara dhe të përfshira në masën e tërheqjes janë:
- BEBA PRE 800G – Lot nr. 51250346AA, skadencë 05.2027
- BEBA PRE 800G – Lot nr. 51720346AA, skadencë 06.2027
- BEBA PRE 800G – Lot nr. 51660346AC, skadencë 06.2027
- BEBA 1 800G – Lot nr. 51180346AB, skadencë 04.2027
- BEBA 1 800G – Lot nr. 51450346AA, skadencë 05.2027
- BEBA 1 800G – Lot nr. 51660346AB, skadencë 06.2027
- BEBA SUPREME PRE 800G – Lot nr. 51720742F3, skadencë 06.2027
- BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F1, skadencë 06.2027
- BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F2, skadencë 06.2027
AKU bën të ditur se pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së plotë të gjurmueshmërisë, e gjithë sasia e produkteve të identifikuara është bllokuar dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.
Ndërkohë, autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që nëse i kanë blerë këto produkte dhe i kanë ende në përdorim, t’i kthejnë menjëherë në pikat e shitjes dhe të shmangin përdorimin e tyre.

