Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar në rrjetin social Facebook një denoncim të ardhur nga ajo që ai e cilëson si “qytetari dixhital”, ku ngre akuza të rënda ndaj ministrit Taulant Balla.
Në postimin e tij, Berisha shkruan “Mia, Tao në tavë!”, duke ndarë një mesazh anonim në të cilin pretendohet se Taulant Balla është pronar i një call center-i që, sipas denoncuesit, është i përfshirë në mashtrime financiare të tipit Forex.
Sipas mesazhit, call center-i ndodhet në zonën e Astirit, në një pallat mbi një subjekt tregtar. Denoncimi pretendon gjithashtu se Policia e Shtetit ka shkuar për të ushtruar kontroll në ambientet e këtij call center-i, pas shkëmbimit të informacioneve me agjenci ligjzbatuese të një shteti tjetër.
Më tej, në mesazh thuhet se në momentin e mbërritjes së policisë, Taulant Balla dyshohet se ka kontaktuar personalisht punonjësit e policisë, çka sipas denoncuesit ka sjellë ndërprerjen e kontrollit dhe largimin e forcave të rendit nga ambientet në fjalë.

