Drejtori i komanduar i burgut të Durrësit, Edmond Llabani, ka pësuar një hemorragji cerebrale dhe është transportuar me urgjencë drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).
Sipas burimeve paraprake, gjendja e tij shëndetësore ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Llabani ishte emëruar në këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, më 15 janar, pas shkarkimit dhe arrestimit të ish-drejtorit Indrit Cërrloj.
Arrestimi i Cërrlojt erdhi pas ngjarjes së rëndë të arratisjes së të dënuarit Altin Ndoci nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ai ishte dërguar për një vizitë mjekësore.
Si ndodhi arratisja e Altin Ndocit
Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit për një kontroll mjekësor në repartin e infektivit, i cili ndodhet në katin e tretë dhe ka ambient të posaçëm sigurie për të dënuarit. Shoqërimi është kryer nga pesë punonjës policie, përfshirë shoferin.
Dy prej efektivëve kanë qëndruar në automjet, ndërsa dy të tjerë e kanë shoqëruar Ndocin brenda spitalit. Gjatë vizitës, i dënuari ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga një efektiv. Në momentin e daljes, ai ka sulmuar dy punonjësit, duke i shtyrë dhe goditur, për t’u larguar më pas me shpejtësi nga spitali.
Burime bëjnë me dije se gjatë ndjekjes, një nga efektivët ka qëlluar në ajër jashtë godinës së spitalit në përpjekje për të ndalur arratisjen.

