Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me masën e “arrest shtëpie”, gjatë një komunikimi për media pas paraqitjes së tij në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.
Berisha bëri një krahasim mes mënyrës se si Gjykata Kushtetuese ka trajtuar çështjen e tij dhe raste të tjera që lidhen me anëtarë të qeverisë, duke përmendur konkretisht vendimin për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vepruar me standarde të dyfishta, duke i trajtuar çështjet që lidhen me qeverinë brenda pak javësh, ndërsa rastin e tij e ka shqyrtuar pas tetë muajsh. Berisha e cilësoi vendimin e marrë ndaj tij si të koduar dhe partiak, duke theksuar se, ndonëse u shpall antikushtetues, ai nuk u shfuqizua.
Ai shtoi se vendimi vazhdon të ketë pasoja edhe sot, pasi, sipas tij, Gjykata pretendoi se masa nuk ishte më në fuqi, ndërkohë që efektet e saj vazhdojnë. Sipas Berishës, në çdo doktrinë juridike, vendimi duhej të ishte shfuqizuar plotësisht.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së tha se Gjykata Kushtetuese mori një vendim në favor të Belinda Ballukut, duke shtuar se ky precedent hap rrugën për shfuqizimin e vendimeve të tjera, por jo atij që lidhet me rastin e tij.

