Arianit Sllamniku është arrestuar pasditen e së martës me urdhër të Prokurorisë në Gjilan, nën dyshimet për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme që rrezikonte shëndetin e fëmijëve.
Sipas autoriteteve, Sllamniku pretendonte se mund të “trajtonte” apo “shëronte” autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, përmes përdorimit të medikamenteve që janë të menduara ekskluzivisht për kafshë dhe jo për njerëz.
Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë marrë shërbime apo konsulta prej tij, të paraqiten në stacionin policor për intervistim, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shprehur shqetësim serioz për raportimet dhe ka apeluar që qytetarët t’u besojnë vetëm metodave të bazuara në prova shkencore, të ofruara nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.
Ministria bëri të ditur se ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të rastit, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional”, thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

