Kryeministri Edi Rama ka shprehur kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë për zvarritjen e hetimeve mbi ngjarjen e 21 Janarit, ku katër qytetarë u vranë gjatë protestës para Kryeministrisë.
Rama theksoi se kjo ngjarje ishte një nga arsyet kryesore që shtyu përpara Reformën në Drejtësi, por pavarësisht krijimit të strukturave të reja, ende nuk është arritur të vendoset drejtësi për këtë çështje.
Ai u shpreh se sot burgjet janë të mbushura kryesisht me të paraburgosur pa vendim gjykate, njerëz që sipas tij janë viktima të arrogancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa nga ana tjetër drejtësia për 21 Janarin vazhdon të mbetet e vonuar. Rama nënvizoi se përgjegjësit kryesorë të tragjedisë u thirrën për t’u pyetur vetëm pas 15 vitesh.
Kryeministri deklaroi se gjithmonë ka besuar se 21 Janari, si një krim shtetëror, është nga ato çështje ku drejtësia mund të vonojë, por nuk duhet të harrojë. Megjithatë, ai shtoi se historia tregon se ndëshkimi për krimet shtetërore shpesh vonon tej mase.

