Numri i punonjësve dhe fondet për administratën publike janë rritur në nivele rekord në vitin 2025. Paralelisht, qeveria ka shtuar ndjeshëm financimet për qeverisjen digjitale, por pavarësisht këtyre investimeve, qytetarët dhe bizneset po përballen me vështirësi të shtuara në aksesimin e shërbimeve publike.
Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë dhe numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona. Njëmbëdhjetë vite më vonë, administrata publike numëron rreth 184 mijë punonjës, ndërsa shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 129 miliardë lekë. Nga viti 2024 në 2025, numri i punonjësve është rritur me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet për ta janë rritur me rreth 80 për qind.
Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta gjatë viteve të fundit. Financimi për e-qeverisjen në vitin 2025 arriti në 20.1 miliardë lekë, nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019, duke shkuar në një total prej 48.4 miliardë lekësh në katër vite, ose afro 500 milionë euro.
Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një shtyllë kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, muajt e fundit, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi. Platforma e-Albania është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi në marrjen e dokumenteve dhe kryerjen e procedurave administrative.
Bizneset raportojnë se shpesh nuk arrijnë të përdorin sistemet elektronike për shërbime thelbësore, si verifikimi i faturave, fiskalizimi apo përmbushja e detyrimeve ligjore. Në raste të caktuara, bllokimi i sistemit ka ndalur edhe lëvizjen e mallrave, duke shkaktuar vonesa dhe humbje financiare.
Sipas bizneseve dhe profesionistëve, mungon një strukturë e qartë përgjegjësie kur sistemet nuk funksionojnë dhe nuk ka asnjë institucion që të japë zgjidhje të menjëhershme. Kjo situatë e përsëritur përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien me administratën publike.
Ekspertët e teknologjisë vlerësojnë se rritja e investimeve nuk është shoqëruar me forcim të mjaftueshëm të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve. Një pjesë e projekteve digjitale janë ndërtuar pa integrim të plotë dhe pa testime të mjaftueshme nën ngarkesë të lartë përdorimi, duke nxjerrë në pah hendekun mes investimeve financiare dhe funksionimit real të administratës publike.
Në vitin 2025, administrata publike dhe e-qeverisja kanë marrë gjithsej rreth 149 miliardë lekë, ose afro 1.5 miliardë euro, që përbën rreth 18 për qind të shpenzimeve buxhetore të vendit.
Burimi: Monitor.al

