Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka miratuar një projektligj që i kërkon Sekretarit të Shtetit të përgatisë një raport të hollësishëm mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.

Projektligji u sponsorizua nga kongresisti republikan Keith Self, i cili theksoi se shqiptarët në këtë rajon vazhdojnë të përballen me diskriminim, duke përmendur edhe pasivizimin e adresave të tyre.

“Një raport i vitit 2021 nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut sugjeronte se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”, tha ai gjatë mbledhjes së komitetit, sipas një videoje të publikuar në rrjetin X.

Nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, shtoi se mungesa e përgjegjësisë nga Qeveria e Serbisë për krimet ndaj pakicave etnike, përfshirë shqiptarët, mbetet një pengesë për paqen e qëndrueshme në rajon.

“Komiteti është thellësisht i shqetësuar që Qeveria serbe vazhdon diskriminimin dhe persekutimin e pakicave etnike, përfshirë shqiptarët”, deklaroi ai.

Për vendimin e Komitetit amerikan reagoi edhe deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, i cili e konsideroi si një fitore të rëndësishme.

“Si qëndrim zyrtar i SHBA-së, Komiteti për Punë të Jashtme miratoi rezolutën H.R. 6411 mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Falënderime të veçanta për Kongresistin Keith Self dhe për mbështetjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Rezoluta tashmë pritet të aprovohet nga Kongresi i SHBA-së”, shkroi Kamberi në Facebook.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *