Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordësi për funksionalizimin e Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimeve ndërmjet palëve.
Sipas Bislimit, marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm drejt vënies në funksion të plotë të Komisionit, ndërsa në javët në vijim pritet që zëvendësit e dy palëve të zhvillojnë takime për të përcaktuar prioritetet e para të punës. Ai theksoi se qëllimi është adresimi i çështjes së personave të zhdukur, e cila mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Dakordësia u arrit pas takimeve të ndara dhe të gjata që ndërmjetësi Peter Sørensen zhvilloi me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, duke çuar përpara procesin e dialogut në këtë fushë sensitive.

