Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) vlerëson se tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik shfaqin një nivel të pranueshëm të funksionimit të konkurrencës.
Në një prononcim për “Monitor”, AMF-ja thekson se funksioni i konkurrencës për produktet TPL duhet kuptuar edhe në kontekstin e karakteristikave strukturore të këtyre produkteve të rregulluara.
Sipas AMF-së, nga perspektiva mbikëqyrëse, pavarësisht standardizimit të produktit dhe natyrës së detyrueshme të sigurimit motorik, presioni konkurrues midis shoqërive ekziston dhe manifestohet.
Megjithatë, AMF-ja thekson se vlerësimi përfundimtar mbi ekzistencën ose jo të problematikave të konkurrencës dhe mbi sjelljet potencialisht antikonkurruese mbetet në kompetencën ekskluzive të Autoritetit të Konkurrencës, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
Gjatë vitit 2025, Komisioni i Kuvendit për Financat, Punësimin dhe Ekonominë shprehu në projektrezolutën për aktivitetin e AMF-së shqetësime serioze për funksionimin e konkurrencës në tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Megjithatë, projektrezoluta nuk u votua në seancë plenare dhe deputetë të Komisionit kanë aluduar se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të lobimit nga kompanitë e sigurimit.
AMF vlerëson se gjatë vitit 2025 tregjet financiare nën mbikëqyrjen e saj kanë shënuar zhvillime pozitive dhe progres të vazhdueshëm në drejtim të forcimit të stabilitetit financiar, përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullator me legjislacionin e Bashkimit Europian, rritjes së transparencës dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve.
Sipas të dhënave të Autoritetit, tregjet kanë ndjekur një tendencë rritjeje të qëndrueshme, ndërsa tregu i sigurimeve është paraqitur i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar, me likuiditet, aftësi paguese dhe mbulim të mirë me provigjone teknike.
AMF thekson se primet e shkruara bruto të sigurimit kanë shënuar rritje, ashtu si edhe numri i kontratave të sigurimit, ndërkohë që tregu mbetet i orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jo-Jetës, ku sigurimi i detyrueshëm zë pjesën më të madhe të totalit.
Autoriteti nënvizon gjithashtu se digjitalizimi i tregjeve financiare po avancon, me rritje të përdorimit të kanaleve online, platformave digjitale dhe sistemeve elektronike për raportimin, monitorimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Në lidhje me vitin 2026, AMF shpreh pritshmëri për vijim të tendencës pozitive të zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje, forcim të mëtejshëm të kuadrit rregullator, rritje të transparencës dhe avancim të procesit të integrimit europian, duke theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i reformave në praktikë.
Burimi: Monitor.al

