Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, e cila ishte parashikuar të mbahej sot për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, nuk u zhvillua. Kuvendi vendosi ta shtyjë për një datë të pacaktuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK, që synon arrestimin e saj, në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Shtyrja erdhi pas kërkesës së deputetëve socialistë, të cilët argumentojnë se Këshilli duhet të mblidhet vetëm pasi Kushtetuesja të shprehet përfundimisht mbi këtë çështje. Sipas tyre, vetëm pas këtij verdikti Kuvendi mund të vendosë nëse do t’i hapet ose jo rruga arrestimit të Ballukut, e cila po hetohet për disa vepra penale.

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit theksohet se kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestim duhet të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke garantuar një proces të plotë dhe objektiv vendimmarrjeje, si dhe shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike.

Ndërkohë, më herët, GJKKO kishte caktuar ndaj Ballukut masën e pezullimit nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, masa që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese. Kryeministri Edi Rama kërkoi shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, duke argumentuar se pezullimi përbënte ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv dhe ishte, në thelb, një shkarkim i maskuar.

Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi rrëzimin e vendimit të Kushtetueses, por Gjykata vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë. Pas këtij vendimi, SPAK reagoi sërish duke paraqitur kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetes, duke e rikthyer çështjen në tryezën e Kuvendit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *