Aulon Kalaja ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të një rruge në zonën e quajtur “Kodra e Gjinve”, mes fshatrave Luz dhe Zall në Fushë-Krujë, e cila është shembur duke u bërë plotësisht e pakalueshme.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Kalaja tregon se një pjesë e madhe e trasës së rrugës ka rënë, duke izoluar disa familje që e përdornin atë çdo ditë për lëvizje dhe për çuarjen e fëmijëve në shkollë. Sipas tij, situata paraqet rrezik serioz për jetën e banorëve.
Në kushtet aktuale, rruga nuk mund të përshkohet as nga mjetet e emergjencës, si ambulancat apo zjarrfikëset, çka e bën zonën të paarritshme në rast urgjence. Kalaja thekson se çdo ditë e më shumë dherat vazhdojnë të shemben, duke përkeqësuar situatën.
“Kjo rrugë shërbente për nevojat bazë të banorëve. Sot e gjithë traseja ka rënë, duke izoluar plotësisht disa familje që rrezikojnë jetën sa herë detyrohen të kalojnë këtu,” shprehet ai në denoncimin e tij, duke shtuar se deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga institucionet përgjegjëse.

