Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton shkeljet e të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkon që Serbia të mbajë përgjegjësi për diskriminimin sistematik ndaj kësaj pakice.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Sipas tij, miratimi i rezolutës në nivel komiteti shënon një momentum të ri në qasjen e politikës së jashtme amerikane ndaj Ballkanit.

Në një prononcim për RTK, Kamberi u shpreh se ky është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare për ta sjellë në vëmendjen ndërkombëtare pozitën e shqiptarëve në Luginë. Ai theksoi se fakti që rezoluta është miratuar me mbështetje dypartiake dhe pa asnjë votë kundër, përbën një sinjal pozitiv për vijimin e procesit ligjor.

Sipas Kamberit, ky vendim pritet të ndikojë që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të rikthehet fuqishëm në agjendën politike të Shteteve të Bashkuara dhe të trajtohet me më shumë seriozitet në institucionet amerikane.

Ai shtoi se rezoluta është edhe rezultat i një pune të gjatë dokumentimi të shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve, të cilat tashmë janë paraqitur në Kongres, Senat dhe në Departamentin e Shtetit amerikan.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij zhvillimi, Kamberi u shpreh se që nga përfundimi i konfliktit të UÇPMB-së, ky përbën hapin e dytë më të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Sipas tij, rezoluta hap një rrugë të re, edhe pse të gjatë, që angazhon drejtpërdrejt politikën e jashtme të SHBA-së në trajtimin e të drejtave të pakicave në Ballkan, me fokus të veçantë në Luginën e Preshevës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *