Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit për të protestuar kundër neglizhencës së qeverisë në sektorin e arsimit, duke përfshirë shkollat dhe universitetet.
Demonstruesit dëgjuan fjalime nga drejtues të shkollave dhe universiteteve, të cilët vunë në pah lënien pas dore të sistemit arsimor dhe presionin ndaj kritikëve të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, sipas raportimeve të agjencisë gjermane të lajmeve dpa.
Protesta u organizua nga lëvizja studentore dhe u zhvillua nën moton “Dija është fuqi”. Ajo ishte pjesë e një vale më të gjerë protestash në Serbi, që nisën pas shembjes së tendës përpara stacionit qendror të trenit në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Studentët fajësuan qeverinë e Vuçiqit për neglizhencë dhe korrupsion, duke nxitur kështu reagime masive qytetare.
Qeveria u përball me bllokime të universiteteve, rrugëve dhe demonstrata të mëdha, duke përdorur dhunë, arrestime arbitrare dhe shkarkime të pedagogëve që mbështetnin protestuesit.
“Asnjë qeveri e mëparshme nuk ka reaguar me kaq dhunë dhe keqdashje ndaj botës akademike, vetëm sepse nuk do të vazhdojë të heshtë më,” tha rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Djokiç, gjatë fjalës së tij në protestën e mbrëmshme të martën (27.01.2026).
Vladimir Ristic, drejtor i një shkolle fillore në Pançevo pranë Beogradit, shtoi: “Arsimi duhet të aftësojë njerëzit të mendojnë, të krijojnë gjykimin e tyre dhe të marrin pjesë në shoqëri, e jo të heshtin. Jam këtu si një njeri që refuzon të tradhëtojë të ardhmen.”

