India ka konfirmuar dy raste të reja të virusit Nipah në shtetin e Perëndim Bengalit, në lindje të vendit, pranë kufijve me Bangladeshin, Bhutanin dhe Nepalin. Të infektuarit janë punonjës shëndetësorë dhe ndodhen aktualisht në kujdes intensiv. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se 196 persona që kanë qenë në kontakt me ta janë testuar negativisht dhe nuk shfaqin simptoma.
Ministria e Shëndetësisë siguron se, bazuar në të dhënat aktuale, nuk ka arsye për panik për popullsinë e gjerë. Megjithatë, për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë që mund të arrijë deri në 75% dhe mungesës së një trajtimi apo vaksine specifike, çdo rast po monitorohet me vigjilencë të shtuar.
Çfarë është virusi Nipah?
Virusi Nipah është një sëmundje zoonotike që transmetohet nga kafshët te njerëzit, përmes ushqimit të kontaminuar ose kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar. Ai gjendet kryesisht tek fluturakët dhe është përhapur në disa rajone të Azisë Jugore, Azisë Juglindore, Oqeanisë dhe zonave bregdetare të Oqeanit Indian.
Infeksioni mund të jetë asimptomatik, por në raste të rënda shkakton probleme akute të frymëmarrjes dhe encefalit fatal. OBSH-ja vlerëson se shkalla e vdekshmërisë varion nga 40% deri në 75%, në varësi të shpërthimit dhe variantit të virusit.
Masat në rajon dhe rreziku global
Vendet fqinje me Indinë kanë nisur të forcojnë masat parandaluese. Tajlanda ka vendosur kontrolle shëndetësore në aeroporte për udhëtarët nga Perëndim Bengali dhe rekomandon mbikëqyrje të shtuar në zonat ku gjenden fluturakë. Nepali ka rritur survejancën në pikat kufitare dhe aeroportet.
Shpërthimet e virusit Nipah janë të njohura në rajonet me rrezik të lartë. Që nga viti 1998, raste janë raportuar në Bangladesh, Indi, Malajzi, Filipine dhe Singapor. Në korrik 2025, India konfirmoi katër raste në Kerala, përfshirë dy vdekje, ndërsa Bangladeshi raportoi katër raste të tjera gjatë të njëjtit vit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreziku i përhapjes ndërkombëtare mbetet i ulët, por thekson rëndësinë e informimit dhe parandalimit, pasi aktualisht nuk ekzistojnë barna apo vaksina specifike kundër virusit Nipah.

