Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, mbajti një fjalim në parlamentin gjerman, duke rikujtuar ngjarjet tragjike në Kosovë në vitin 1999 dhe duke theksuar se shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Ai vuri në dukje se gjatë javëve të fundit është përhapur shpesh, edhe nga e djathta ekstreme, narrativi se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi kanë krijuar precedent për ndërhyrje ushtarake.
“Sa herë që përdoret ky narrativ, harrohen viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, kur nuk pati ndërhyrje humanitare, si dhe viktimat në Kosovë. Ajo që nuk arriti në 1995, u realizua në 1999 falë ndërhyrjes humanitare, përfshirë këtë Bundestag gjerman, që të mos ndodhte një gjenocid,” tha Ahmetoviq, duke kritikuar përdorimin e këtij narrativi për të legjitimuar luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.
Për këtë qëndrim, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e falënderoi deputetin: “Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e drejtpërdrejta,” shkroi ai.

