Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar një tjetër paketë dokumentesh nga dosjet hetimore mbi Jeffrey Epstein, të cilat hedhin dritë mbi pretendime të rënda që përfshijnë figura të njohura ndërkombëtare, mes tyre edhe bashkëthemeluesin e Microsoft-it, Bill Gates.
Sipas dokumenteve, Epstein pretendon në email-e të brendshme se Gates kishte kryer marrëdhënie seksuale me gra ruse dhe ishte infektuar me një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Këto akuza shfaqen në një email që Epstein i kishte dërguar vetes më 18 korrik 2013.
Në një nga mesazhet, Epstein shkruan se Gates i ishte lutur të fshinte komunikimet që lidhen me sëmundjen, si dhe i kishte kërkuar ndihmë për sigurimin e antibiotikëve, të cilët, sipas tij, do t’ia jepte fshehurazi bashkëshortes së atëhershme, Melinda Gates. Në të njëjtin email përmenden edhe detaje të tjera fyese dhe intime, të cilat Epstein i atribuon Gates-it.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein kishte dërguar një tjetër email po atë ditë, ku njoftonte një “dorëheqje” nga Fondacioni Bill & Melinda Gates. Megjithatë, dihet se Epstein nuk ka qenë kurrë pjesë e këtij fondacioni, çka ka ngritur dyshime se mesazhi është shkruar duke imituar zërin e një personi tjetër.
Në këtë email, Epstein pretendon se ishte përfshirë në konfliktin martesor mes Bill dhe Melinda Gates dhe se, në rolin e “krahut të djathtë” të Gates-it, kishte pranuar të ndihmonte në veprime që ai i përshkruan si moralisht të papërshtatshme dhe potencialisht të paligjshme. Ai përmend sigurimin e ilaçeve për pasojat e marrëdhënieve seksuale, lehtësimin e lidhjeve jashtëmartesore dhe madje edhe kërkesa për substanca farmaceutike pa të drejtë përshkrimi.
Bill dhe Melinda Gates ishin të martuar nga viti 1994 deri në vitin 2021. Melinda Gates ka lënë të kuptohet më herët se lidhjet jashtëmartesore të ish-bashkëshortit dhe marrëdhënia e tij me Epstein kanë ndikuar në divorcin e tyre.
Nga ana e tij, Bill Gates ka minimizuar vazhdimisht raportin me Epstein. Në një intervistë për Wall Street Journal në vitin 2019, ai deklaroi se nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie profesionale apo miqësore me të. Megjithatë, raportime të New York Times tregojnë se dy burrat janë takuar disa herë që nga viti 2011, pas dënimit të Epstein-it, ndërsa dokumentet e fluturimeve tregojnë se Gates kishte udhëtuar me avionin privat të Epstein në vitin 2013.
Përfaqësues të Gates kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe duke theksuar se dokumentet tregojnë vetëm përpjekjet e Epstein për të manipuluar dhe diskredituar figura të njohura.
Dosjet përfshijnë edhe pretendime të tjera, sipas të cilave Epstein kishte ofruar gra ruse për personalitete të ndryshme, kishte dërguar shuma të konsiderueshme parash për familjarë të politikanëve britanikë dhe kishte ndërmjetësuar takime private me figura të rangut të lartë.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në një qeli burgu në Nju Jork në gusht të vitit 2019, një muaj pasi ishte paditur për akuza federale për trafikim seksual. Më herët, në vitet 2008–2009, ai kishte vuajtur dënim me burg në Florida, pasi u shpall fajtor për nxitje të prostitucionit me të mitur.

