Nga Vladimir Karaj – Repoerter.al
Në 13 mars të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama shpalli me mburrje se “lufta me malin” ishte fituar dhe se tuneli i Murrizit, pjesë e aksit të njohur si Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën, do të hapej për kalim normal.
“Syri i keq më në fund plasi, se te ai tunel u mblodh e gjithë energjia negative dhe gjeologjia e atij tuneli ishte një tmerr,” deklaroi Rama.
Të nesërmen, më 14 mars, tuneli u hap për qarkullim me ceremoni dhe muzikë.
Por ende pa kaluar 10 muaj, përdoruesit e rrugës filluan të dyshonin nëse tuneli kishte qenë vërtet gati për hapje.
Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, e cila e përdor vazhdimisht tunelin e Murrizit për t’u kthyer në shtëpi nga Tirana, tha se në një nga udhëtimet vëreu plasaritje dhe tavanin që pikonte. E shqetësuar për sigurinë, Vata filmoi krisjet dhe bëri publike pamjet.
Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga deputetja Vata, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i konfirmoi përmes një shkrese drejtuar Kuvendit se pjesa në fjalë e Rrugës së Arbrit ishte ende pa kolaudim, duke ngritur një valë të re alarmi.
“…Ju informojmë se ‘Tuneli i Murrizit’, pjesë e segmentit nr. 3 të ‘Rrugës së Arbrit’, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH-së për ndjekjen e procedurave të kolaudimit,” thuhet në shkresën e ARRSH drejtuar Vatës.
Vata tha se mbeti e skandalizuar nga ky fakt.
“Kryeministri bashkë me zonjën Balluku e kanë inauguruar me daulle dhe festë edhe pse nuk është i kolauduar,” u shpreh ajo, duke shtuar se inaugurimi ishte bërë për fushatë dhe se siguria e tunelit mbetet e paqartë.
Sipas inxhinierit Xhevahir Ngjeqari, hapja e tunelit pa aktin e kolaudimit përbën një shkelje të rëndë të ligjit.
“Tuneli nuk duhej të ishte hapur pa kolaudim. Edhe një kotec pulash nuk hapet pa kolaudim, sepse ka të bëjë me sigurinë,” tha Ngjeqari.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, këmbënguli se tuneli ishte i sigurt, pavarësisht mungesës së aktit të kolaudimit.
“Absolutisht po. Nuk ka asnjë problem (të sigurisë),” tha Kozeli, pa iu përgjigjur pyetjes nëse ekzistonte një shkresë apo vendimmarrje që garantonte zyrtarisht sigurinë e tunelit.
Një përfaqësues i kompanisë koncesionare “Gjoka 87” tha se defektet vinin si pasojë e punimeve në tunelin paralel të sigurisë, duke mos e vënë në diskutim sigurinë e tunelit, por pranoi se hapja kishte qenë e parakohshme.
“Kishte presion nga njerëzit për hapjen e tunelit. Ne jemi më të qetë të punojmë me tunel të mbyllur,” tha ai.
Inaugurim pa kolaudim
Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh.
Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Vepra kryesore e projektit, tuneli 3.8 kilometra i gjatë i Qafës së Murrizit, u përball me probleme serioze gjatë ndërtimit.
Rruga ishte planifikuar të përfundonte në prill 2022, por për shkak të vështirësive në tunelin e Murrizit, afatet u shtynë disa herë. Marrëveshja e fundit parashikonte përfundimin e punimeve në maj 2025.
Dy muaj përpara këtij afati, tuneli u hap për qarkullim dhe u shpall i përfunduar, megjithëse palët pranojnë se punimet në rrugë ende nuk kanë përfunduar.
Kreu i ARRSH-së shpjegoi se kolaudimi mund të kryhet vetëm pas përfundimit të të gjithë segmentit.
“Ka ende punime të papërfunduara, por kjo nuk e bën të paaksesueshëm aksin,” tha ai.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë koncesionare pranoi se punimet nuk kishin përfunduar dhe se plasaritjet ishin pasojë e presioneve nga tuneli ndihmës në ndërtim, duke theksuar se nuk kishte rrezik strukturor.
Dyshimet mbi sigurinë
Specialistët e fushës theksojnë se tuneli nuk duhej të ishte hapur pa përfunduar të gjitha punimet dhe pa kolaudim, në mënyrë që të garantohej plotësisht siguria.
Inxhinieri Ngjeqari tha se duhet një analizë e qartë për të kuptuar natyrën dhe rëndësinë e dëmtimeve.
“Nëse janë thjesht dëmtime sipërfaqësore, nuk ka problem të madh. Por nëse janë strukturore, atëherë situata është serioze,” u shpreh ai, duke shtuar se ARRSH duhet të japë garanci me shkrim për sigurinë.
Përfaqësuesi i “Gjoka 87” tha se në tunel kryhen matje çdo tre ditë me instrumente të posaçme dhe se pas përfundimit të tunelit ndihmës do të kryhen riparimet e nevojshme, duke devijuar qarkullimin.
I pyetur nëse ekziston një dokument që lejon qarkullimin, ai tha se nuk ishte në dijeni, por se “patjetër duhet të ketë”.

