Miroslav Lajçak, ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico, pas publikimit të komunikimeve të tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

Kryeministri i Sllovakisë ka njoftuar se e ka pranuar dorëheqjen e Lajçakut, duke e vlerësuar atë si një diplomat me përvojë të jashtëzakonshme, ndërsa ka kritikuar ashpër reagimet e opozitës dhe të mediave. Sipas Ficos, reagimet ndaj këtij rasti janë të mbushura me hipokrizi dhe standarde të dyfishta.

“Miroslav Lajçak ka dëshmuar edhe një herë profesionalizmin e tij dhe unë e pranoj vendimin e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë, edhe pse Sllovakia humb një burim të rëndësishëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”, ka deklaruar Fico për gazetën Dnevnik N.

Dorëheqja vjen pasi në Shtetet e Bashkuara u publikua grupi më i madh i dokumenteve gjyqësore lidhur me rastin Epstein, ku përfshihen rreth tre milionë faqe, 180 mijë fotografi dhe mbi dy mijë video. Në mesin e këtyre dokumenteve janë edhe komunikime që lidhen me Lajçakun.

Jeffrey Epstein, i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta të fuqishme dhe të famshme, vdiq në burg në vitin 2019, teksa priste gjykimin federal për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual. Vdekja e tij u shpall zyrtarisht si vetëvrasje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *