Dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në kuadër të çështjes Jeffrey Epstein zbulojnë komunikime elektronike ku shfaqen edhe emra të njohur ndërkombëtarë, përfshirë figura politike nga Kosova.
Në një email të publikuar në faqen zyrtare të autoriteteve amerikane, të datës 19 shtator 2012, përmendet emri i biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli. Mesazhi është dërguar nga një person i identifikuar si “Daniel”, i cili i kërkon Epstein-it të shohë një video me titullin: “Kush është Behgjet Pacolli?”.
Në përmbajtjen e email-it thuhet: “Përshëndetje Jeffrey, princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, ndërsa bashkëngjitur ka qenë një link në YouTube, i cili aktualisht nuk është më i aksesueshëm.
Në të njëjtin komunikim përmendet edhe Konsullja e Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila, sipas email-it, ka kërkuar që videoja t’i përcillet Epstein-it.
Emri i saj shfaqet edhe në një tjetër email të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York, gjatë zhvillimit të takimeve në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Në mesazh thuhet se princesha nga Tajlanda do të ishte në New York së bashku me presidenten e Kosovës dhe do të dëshironte një takim, nëse do të kishte mundësi.
Edhe pse në email nuk përmendet me emër, në atë periudhë presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.
Ndërkohë, Mom Luang Rajadasari Jayankura ka deklaruar më herët se ka pasur rol në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda, si dhe në përpjekje për sigurimin e mbështetjes nga vende të tjera. Në një shkrim të saj autorial, ajo ka treguar se është njohur me Behgjet Pacollin në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se pas këtij takimi është angazhuar për kauzën e njohjes së Kosovës si shtet sovran, duke vlerësuar angazhimin e Pacollit si të admirueshëm.

