Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë kanë dalë për herë të tretë në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për gjendjen e rëndë të rrugës që përshkon zonën e tyre. Situata, sipas tyre, është bërë e padurueshme dhe rrezikon seriozisht sigurinë e banorëve, veçanërisht të fëmijëve.
Në protestën e zhvilluar mëngjesin e sotëm iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës “Gjon Luka”, të cilët bojkotuan mësimin. Ata shprehen se çdo ditë shkojnë në shkollë të mbuluar nga balta dhe se ndihen të frikësuar nga kamionët e shumtë që qarkullojnë në rrugë, të cilët shpesh, për të shmangur gropat e mëdha, hipin mbi trotuare.
Një ditë më parë, në rrugë është hedhur një sasi çakulli për të mbushur disa prej gropave më problematike, por banorët theksojnë se kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe se nuk ka asnjë reagim zyrtar për rikonstruksionin e plotë të rrugës.
Kjo rrugë konsiderohet një arterie e rëndësishme për ekonominë e vendit, pasi çdo ditë qarkullojnë mbi 1000 kamionë që transportojnë çimento, gëlqere dhe inerte drejt zonave të ndryshme të Shqipërisë, por edhe për eksport.
Banorët bllokuan rrugën për më shumë se një orë dhe paralajmëruan se protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen nëse nuk ndërhyhet seriozisht për rikonstruksionin e saj.

