Gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetiq ka realizuar një intervistë me Aleksandar Liçanin, i cili deklaron se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vrasjeve të kryera gjatë luftës në Sarajevë, në atë që njihet si “Sarajeva Safari”.
Sipas Liçaninit, ai ka parë veprimet e forcave serbe gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe përmend me emër disa figura, përfshirë Sllavoj Aleksiqin, Vojisllav Sheshelin dhe Aleksandar Vuçiqin. Ai pretendon se persona nga vende të ndryshme silleshin në Sarajevë për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
“Kam qenë dëshmitar i asaj që ka ndodhur dhe nuk mund ta pranoj që sot të thuhet se të gjithë jemi njësoj”, është shprehur Liçanin, duke theksuar se këto krime nuk duhet të relativizohen.
I pyetur nga gazetari kroat për pretendimet se Vuçiq jo vetëm ka marrë pjesë në organizim, por edhe ka shtënë personalisht me snajper nga zona e varrezave hebraike, Liçanin ka pohuar se ekzistojnë fotografi ku persona të përmendur shihen me armë snajper. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se bëhej fjalë për objekte të tjera, duke i cilësuar si trillime.
Sipas tij, Vuçiq dhe Sheshel organizonin të ashtuquajtur “turistë snajperë”, të cilët vinin nga vende të ndryshme dhe paguheshin për të marrë pjesë në këto akte. “Askush nuk vjen ta bëjë këtë falas”, ka theksuar dëshmitari.
Lidhur me faktin se Vuçiq mohon çdo përfshirje, Liçanin ka deklaruar se shumë njerëz heshtin nga frika për veten dhe familjet e tyre. Megjithatë, ai shprehet i vendosur që të flasë publikisht, me qëllim që e vërteta të dalë në dritë dhe të dihet se kush ishte përgjegjës për të shtënat ndaj civilëve në Sarajevë, veçanërisht në zonën e Grbavicës.
Në fund, Liçanin ka theksuar se dëshiron që t’i vihet fund heshtjes rreth “Sarajeva Safari” dhe që përgjegjësit të identifikohen qartë.

