Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15–29 vjeç në Europë tregojnë një tablo shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grup-moshe.
Në janar të vitit 2025, Shqipëria kishte 405,832 të rinj të grup-moshës 15–29 vjeç, me një tkurrje prej 18,300 të rinjsh brenda një viti, duke pësuar një rënie prej -4.32%. Shpejtësia e zbrazjes së vendit nga rinia është katër herë më e lartë se ajo e Serbisë, e cila pason me një rënie prej -1.03%.
Ndërsa vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia regjistrojnë tkurrje minimale nën 1%, Shqipëria po përballet me një hemorragji demografike që tejkalon çdo mesatare rajonale.
Kjo diferencë bëhet edhe më e theksuar kur krahasohet me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re. Spanja (+2.76%), Bullgaria (+1.98%) dhe Rumania (+1.97%) po përjetojnë zgjerim të grup-moshës 15–29 vjeç, duke treguar një riorientim të rinisë drejt tregjeve të tyre të punës dhe sistemeve arsimore.
Teksa shtete si Zvicra, Islanda dhe vendet e Bashkimit Europian po stabilizojnë ose rrisin numrin e të rinjve, Shqipëria po thellon rënien, duke nxjerrë në pah urgjencën për politika inkurajuese që synojnë mbajtjen e rinisë në vend.
Tkurrja e të rinjve përbën një alarm specifik shqiptar, jo ballkanik, duke e lënë vendin pa forcë punëtore aktive dhe pa energji inovative.
Rënia me rreth 18,333 të rinj brenda një viti nënkupton humbjen e një qyteti të tërë të përbërë nga studentë dhe profesionistë të rinj çdo vit. Ndërkohë, Gjermania dhe Italia, dy destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së re, përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%, duke përfituar nga kapitali njerëzor që largohet nga Shqipëria.
Nëse ky trend nuk frenohet, presioni mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase do të rritet ndjeshëm, duke e afruar Shqipërinë drejt plakjes më të shpejtë demografike në Europë.
Burimi: Monitor.al / Eurostat
https://monitor.al/shqiperia-pesoi-renien-me-te-madhe-te-rinise-ne-europe-vitin-e-kaluar/

