Një princeshë nga Tajlanda, emri i së cilës përmendet në dokumentet e publikuara së fundmi për çështjen Jeffrey Epstein, është prezantuar në disa raste si Konsulle Nderi e Kosovës në Bangkok, por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka bërë të ditur se ajo nuk e ka mbajtur asnjëherë zyrtarisht këtë titull.

Bëhet fjalë për Rajadarasri Jayankura, e cila sipas dokumenteve dhe profileve të saj publike, përfshirë rrjetet sociale, është prezantuar si përfaqësuese nderi e Kosovës. Megjithatë, sipas autoriteteve kosovare, emërimi i propozuar në vitin 2012 nuk mori miratimin e shtetit pritës dhe për këtë arsye nuk hyri kurrë në fuqi.

Në një përgjigje zyrtare, MPJD ka sqaruar se vendimi për emërimin dhe nota verbale e dërguar autoriteteve tajlandeze nuk morën përgjigje pozitive, ndërsa edhe një komunikim i dytë në vitin 2014 mbeti pa miratim. Për pasojë, përdorimi i titullit konsiderohet i pavlefshëm dhe është paralajmëruar se do të kërkohet heqja e referencave që e paraqesin atë si konsulle nderi të Kosovës.

Emri i Jayankuras shfaqet shpesh në materialet që lidhen me Epstein, ku përmenden kontakte dhe aktivitete të ndryshme. Departamenti i Drejtësisë në SHBA publikoi në fund të janarit mbi 3.5 milionë dokumente që lidhen me çështjen, mes tyre edhe komunikime ku ajo përmendet si princeshë tajlandeze ose si konsulle nderi e Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka deklaruar se e kishte propozuar Jayankurën për këtë rol në vitin 2012, duke vlerësuar kontributin e saj në promovimin e Kosovës dhe në krijimin e kontakteve ndërkombëtare. Ai ka theksuar se në kohën kur kanë ekzistuar kontaktet e saj me Epstein, veprimtaria e këtij të fundit nuk ishte e njohur publikisht dhe se angazhimet e saj, sipas tij, kishin për qëllim forcimin e lidhjeve ndërkombëtare në funksion të njohjeve për Kosovën.

Ndërkohë, ish-ministri Enver Hoxhaj nuk ka dhënë sqarime lidhur me arsyet e propozimit të emërimit në atë periudhë. Dokumentet e publikuara vazhdojnë të analizohen, ndërsa rasti ka rikthyer vëmendjen mbi mënyrën se si janë përdorur titujt diplomatikë dhe përfaqësimet nderi në të kaluarën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *