Administrata tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e vlerës së kompensimit për arsimin e fëmijëve, për të gjithë ata individë që plotësuan DIVA dhe rezultuan me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit.

Administrata tatimore sqaroi se aplikimi do të kryhet nëpërmjet sistemit e-Filing online. Pas dorëzimit të kërkesës, kompensimi do të transferohet në llogaritë bankare të individëve që ata deklarojnë nëpërmjet aplikimit.

Pra, pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave, DIVA 2025, të gjithë individët që kanë rezultuar me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët me vlerë 48 mijë lekë në vit apo 100 mijë lekë nga të ardhurat vjetore, mund të nisin të plotësojnë formularin e aplikimit për përfitimin e kompensimit.

Procedura për aplikim

Pas hyrjes në sistemin e-Tax, për të krijuar çështje si kërkesë për rimbursim, do të klikohet mbi modulin eFiling Im, duke përzgjedhur “Çështjet e mia”.

Më pas do të dalë moduli “Lloji i Çështjes”, ku do të zgjidhet opsioni i dytë me emrin “Pyetje të Përgjithshme” për të krijuar një çështje të re.

Pas krijimit të çështjes, shfaqet numri i dokumentit identifikues për DIVA-n e plotësuar dhe një format i bardhë ku mbushet kërkesa për rimbursim të tatimit të mbipaguar sipas vlerës së shfaqur në DIVA.

Shembull kërkese:
Kërkesë për Rimbursim
Kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare, shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë 6,240 lekë pas plotësimit nga DIVA 2025.

Gjithashtu, aplikuesi duhet të bashkëngjitë dokumentacionin në format PDF:

  • Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN)
  • Certifikatën familjare
  • Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet për arsimimin e fëmijëve, si kontratat me institucionet arsimore dhe faturat për pagesat e fëmijëve (përfshirë edhe gjuhët e huaja etj.)

Administrata tatimore pohon se procedura për plotësimin e formularit do të sqarohet edhe nëpërmjet një video-udhëzuese.

Shuma e kompensimit

Vlera e kompensimit ndryshon sipas të ardhurave vjetore dhe shpenzimeve për fëmijët. Për individët me të ardhura nën 1,2 mln lekë në vit, kompensimi maksimal për arsimin është 100,000 lekë, ndërsa për të ardhura mbi këtë nivel, shumat variojnë sipas numrit të fëmijëve dhe tatimit të mbipaguar.

Sistemi e-Tax e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit pas deklarimit të të ardhurave, përfshirë edhe ata që nuk kanë detyrimin ta bëjnë. Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë vitit 2025 pas zbritjes së bazës së tatueshme do të jepet si kompensim për fëmijët, pas dorëzimit të kërkesës për aplikim.

Afati për aplikim për kompensimin është deri në 3 muaj pas plotësimit të DIVA.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/hapen-aplikimet-per-perfitim-te-kompensimit-per-arsimin-procedura-dhe-dokumentacioni-qe-dorezohet/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *