Rikonstruksioni i rrugëve në zonën e Fushë-Krujës ka mbetur prej vitesh thjesht një premtim elektoral, denoncojnë banorët e Urës së Gjolës. Ata dolën në protestë për të kërkuar ndërtimin e aksit që i lidh me autostradën Fushë-Krujë-Vorë.
Banorët shprehen se rruga është e mbushur me gropa dhe pellgje uji, pa investime serioze, gjë që e bën të pamundur kalimin e saj. Autoambulancat dhe zjarrfikëset nuk mund të përdorin rrugën, dhe ata paralajmërojnë se nëse Bashkia e Krujës nuk ofron një përgjigje konkrete, do të bllokojnë autostradën.
Sipas banorëve, ata janë ndër më të prekurit nga shpronësimet për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar, gjatë së cilës iu ishte premtuar edhe ndërtimi i rrugës së Urës së Gjolës – një premtim që nuk u realizua, dhe për të cilin fajësojnë edhe Ballukun.

