Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar me sistemet dixhitale qeveritare, duke theksuar se mosfunksionimi dhe paqëndrueshmëria e platformës e-Albania dhe shërbimeve të administruara nga AKSHI po shkaktojnë pasoja të konsiderueshme për bizneset, qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Sipas AmCham, ndërprerjet e shpeshta, bllokimi i shërbimeve dhe performanca e paparashikueshme e sistemit kanë paralizuar procese të rëndësishme administrative, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve ligjore, kryerjen e procedurave rregullatore dhe zhvillimin normal të aktivitetit të përditshëm të kompanive.

Në reagimin e saj, Dhoma thekson se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive dhe se mungesa e auditimit, sigurisë dhe përditësimeve të vazhdueshme sipas standardeve ndërkombëtare përbën rrezik për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare. Sipas saj, këto probleme nuk mund të konsiderohen më incidente të izoluara, por tregojnë për një dështim sistemik në menaxhimin e infrastrukturës dixhitale shtetërore.

AmCham shpreh gjithashtu shqetësim për ndikimin e drejtpërdrejtë që këto ndërprerje kanë në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme. Dhoma përfaqëson një numër të madh kompanish që operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, shumë prej të cilave janë të certifikuara ndërkombëtarisht dhe zbatojnë standarde të larta sigurie, por që pavarësisht kësaj raportojnë shqetësime të vazhdueshme edhe për proceset e prokurimit publik në këtë sektor.

Sipas AmCham, problematikat në prokurime mund të cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive, të cilat përfshijnë informacione mbi institucionet publike, bizneset dhe të dhënat personale e pasurore të qytetarëve.

Duke marrë si shembull praktikat në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të avancuara, AmCham thekson se kompanitë që përfshihen në sisteme sensitive qeveritare i nënshtrohen proceseve të rrepta verifikimi, autorizimi dhe kontrolli financiar, me qëllim garantimin e transparencës dhe mbrojtjen e fondeve publike.

Për këtë arsye, Dhoma i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të siguruar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të shërbimeve të e-Albania-s, sidomos atyre që janë kritike për aktivitetin e biznesit dhe proceset e prokurimit.

Ndër rekomandimet kryesore përfshihen auditime periodike dhe të pavarura të sigurisë dhe sistemeve IT sipas standardeve ndërkombëtare, forcimi i mekanizmave të autorizimit dhe kontrollit të aksesit, përcaktimi i standardeve minimale për disponueshmërinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve, përmirësimi i procedurave të prokurimit në sektorin TIK, krijimi i mekanizmave zyrtarë për njoftimin e incidenteve dhe mirëmbajtjeve, si dhe ndërtimi i një kuadri të sigurt për integrimin e sistemeve të autorizuara të sektorit privat me platformat e qeverisjes elektronike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *