Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, kundërshton pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar mbi komunikatat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Mbrojtësi i Thaçit, Mishetiq, kërkoi që trupi gjykues të marrë në konsideratë faktin se komunitetit ndërkombëtar i duhej më shumë se 20 vite për të zbuluar propagandën nxitëse të gjenocideve në Ruandë dhe Bosnje e Hercegovinë. Ai argumentoi se po të kishin pasur karakter të tillë komunikatat e UÇK-së, dëshmitarët ndërkombëtarë do ta kishin vënë re dhe do ta kishin raportuar.
“Bëjani vetës këtë pyetje: A iu deshën 20 vite komunitetit ndërkombëtar të zbulojë propagandën nxitëse ndaj gjenocideve në Ruandë? Apo propagandën nacionaliste të serbëve në Bosnje dhe të Millosheviqit? Sigurisht që jo. Retorika atje ishte e qartë dhe u raportua menjëherë. Po ashtu, komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit, sepse dëshmitarët ndërkombëtarë që dhanë dëshmi do ta kishin ditur dhe do ta kishin bërë të njohur për trupin gjykues“, deklaroi Mishetiq.

