Ai shërbeu për disa javë si kryeministër edhe në vitin 2020, por ajo qeveri u rrëzua, për shkak të mospajtimeve mes partnerëve të koalicionit lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zgjodh sërish kryeministër i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të një mandati të rregullt katërvjeçar nga viti 2021 deri në fillim të vitit 2025 dhe ushtrimit të detyrës gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025.

Ai shërbeu për disa javë si kryeministër edhe në vitin 2020, por ajo qeveri u rrëzua, për shkak të mospajtimeve mes partnerëve të koalicionit lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Për Qeverinë e tij të re votuan 66 deputetë, kundër ishin 49, ndërsa abstenime nuk kishte.

Formimit të Qeverisë i hapi rrugë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, i cili u përmbyll po më 11 shkurt.

Institucionet e reja u formuan pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.

Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.

Në ekspozenë para deputetëve, Kurti premtoi investime në industrinë e prodhimit, në mirëqenien sociale dhe në mbrojtjen e vendit.

“Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në, SHBA-në dhe vendet mike nuk do të lëkundet, sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë”, tha Kurti.

Kurti nisi karrierën politike në vitet 1990, me angazhimin në protestat kundër represionit të regjimit serb, për të vazhduar më pas si një nga emrat kryesorë në skenën politike të pasluftës në Kosovë.

Ai themeloi Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2005 dhe njihet si kritik i ashpër i elitave të mëparshme politike, të cilat i akuzon për korrupsion e nepotizëm.

Gjatë viteve, ai ka transformuar retorikën politike, duke u fokusuar sot në forcimin e shtetit të Kosovës si një entitet sovran dhe i pavarur.

Kurti ka pasur shpesh përplasje me komunitetin ndërkombëtar për veprime të perceptuara si në dëm të komunitetit serb, ndonëse ai i ka cilësuar ato si mospajtime të zakonshme mes miqsh dhe partnerësh.

Mandati i ri i Kurtit vjen në kohën kur Kosova përballet me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare, duke përfshirë dialogun me Serbinë, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës euroatlantike.

Analistët politikë vlerësojnë se qeverisja e tij e ardhshme do të varet nga aftësia për të krijuar konsensus mes partive politike dhe për të implementuar reformat e premtuara gjatë fushatës zgjedhore.

Burimi: REL

https://www.evropaelire.org/a/kurti-rikthehet-pas-gati-nje-viti-ne-detyre/33675465.html

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *