Kreu i Partisë Demokratike ka hedhur poshtë deklaratat e Policisë së Shtetit se shtatë efektivë mbetën të lënduar gjatë protestës së zhvilluar dy ditë më parë nga opozita.
Sipas tij, në spital nuk ndodhej asnjë punonjës policie i plagosur, duke i cilësuar njoftimet zyrtare si të pavërteta. Ai deklaroi se kishte verifikuar personalisht situatën në urgjencë dhe nuk kishte gjetur asnjë efektiv të lënduar, pavarësisht komunikatave të policisë.
Berisha akuzoi forcat e rendit për përdorim të plumbave të gomës ndaj protestuesve, duke pretenduar se ato janë drejtuar në zonën e kokës. Në fjalën e tij, ai theksoi se të rinjtë do të jenë faktor vendimtar për ndryshimin politik në vend, duke shtuar se pakënaqësia e tyre ndaj qeverisë është në rritje.
Sipas kreut të PD-së, rinia shqiptare është zgjuar dhe do të reagojë ndaj asaj që ai e cilësoi si varfërim dhe padrejtësi ndaj tyre.

