Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar ekspozenë për mandatin e ri të Qeverisë, duke vënë theksin te reforma në drejtësi, investimet kapitale dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.
Në fjalimin e tij, Kurti njoftoi se reforma në drejtësi do të hyjë në fazën vendimtare dhe ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore në çdo cep të vendit. Ai premtoi vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe themelimin e institucioneve të reja si Prokuroria e specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Kjo është një qeveri e punës, drejtësisë dhe dinjitetit për secilin, e sigurisë dhe begatisë për të gjithë. Është nder i madh që të vazhdoj shërbimin ndaj republikës dhe qytetarëve, pa dallim”, tha Kurti.
Ai gjithashtu prezantoi prioritetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe investimet kapitale. Investimet vjetore pritet të tejkalojnë 1 miliard euro, duke përfshirë projekte për prodhim, energji, infrastrukturë, turizëm malor dhe digjitalizim. Në plan janë edhe modernizimi i termocentraleve, zhvillimi i industrisë ushtarake, përmirësimi i arsimit dhe shëndetësisë, si dhe mbështetja për fermerët dhe komunitetet lokale.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e aleancave ndërkombëtare, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut, dhe bashkëpunimin rajonal dhe evropian.
Në fund, Kryeministri prezantoi kabinetin e ri qeveritar, ku përfshihen 22 ministra dhe zëvendësministrat përgjegjës për dikastere kyçe, duke garantuar përkushtim për realizimin e zotimeve të programit qeverisës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

