Banorët e Durrës të prekur nga projekti “TID Durrës” zhvilluan të shtunën një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetaren e Bashkisë. Pas këtij takimi, ata dolën me një deklaratë publike ku shprehin kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së zbatimit të projektit.

Sipas deklaratës, gjatë diskutimit u theksua se projekti do të realizohet pa ndryshime. Banorëve iu ofruan disa alternativa: pranimi i një çmimi shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja në zona periferike të përcaktuara nga institucionet ose sistemimi i tyre në një objekt të vetëm të përzgjedhur nga Bashkia.

Banorët e kundërshtojnë këtë qasje, duke argumentuar se projekti ka mangësi dhe shkelje procedurale, si dhe raste pronash të papërfshira apo pa ekspertizë të saktë. Ata theksojnë se propozimet nuk janë dakordësuar me ta dhe se çmimi referencë i ofruar konsiderohet “çmim dysheme”.

Në deklaratë kërkohet shtyrja e afateve ligjore për ekzekutimin e projektit, pezullimi i shembjeve dhe një shqyrtim i plotë ligjor për çdo rast individualisht. Në të kundërt, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës dhe intensifikim të reagimit publik e institucional, duke bërë të ditur se komunikimet në nivel ndërkombëtar tashmë kanë nisur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *