Shqipëria po kthehet në një azil të madh pasi grup-mosha mbi 65 vjeç, në raport me popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç), po rritet me ritme shumë të shpejta, të papërjetuara në këtë mënyrë nga asnjë vend tjetër europian. Të dhënat më të fundit mbi ecurinë demografike në Europë për periudhën 2015-2025 e pozicionojnë vendin tonë në krye të listës për rritjen e peshës që kanë të moshuarit në raport me krahun e punës.
Në vitin 2015, popullsia mbi 65 vjeç në Shqipëri përbënte rreth 18.2% të totalit të forcës së punës (15-64 vjeç), një rezultat që e kategorizonte vendin tonë relativisht të ri në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian apo vendeve si Italia dhe Gjermania. Në vitin 2025, grup-mosha mbi 65 vjeç arriti në 33.3% të forcës së punës.
Ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, Shqipëria mban vendin e parë në Europë për rritjen më të lartë të përqindjes së popullsisë mbi moshën 65 vjeç në raport me popullsinë në moshë pune. Brenda vetëm një dekade, pesha e të moshuarve ndaj popullsisë në moshë pune është rritur me 15.1 pikë përqindjeje, duke kapërcyer çdo vend tjetër të monitoruar në këtë listë.
Ndërkohë që vende si Moldavia apo Maqedonia e Veriut gjithashtu po përjetojnë rritje të ndjeshme të kësaj grupmoshe, ato mbeten pas Shqipërisë me një rritje prej përkatësisht 14.1 dhe 10.7 pikë përqindjeje.
Për shkak të krizës demografike, Shqipëria ka pësuar rritje të fortë të moshës mediane të popullsisë. Në vitin 2015, mosha mediane ishte 34.7 vjeç. Në vitin 2025, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, çka tregon një plakje të shpejtë të shoqërisë.
Teksa Europës iu deshën disa dekada për të kaluar në një etapë plakjeje të popullsisë, Shqipëria e ka përjetuar këtë transformim brenda vetëm një dekade. Nga viti 2015 në 2025, mosha mediane në vend u rrit me 9.6 vite, ritmi më i lartë në kontinent, ndërsa mesatarja europiane për të njëjtën periudhë ishte vetëm 2.1 vite.
Ky fenomen i plakjes së përshpejtuar i atribuohet një kombinimi faktorësh, si emigrimi masiv i moshave të reja dhe rënia e vazhdueshme e lindshmërisë. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku rritja e moshës mesatare është më e ngadaltë dhe e kontrolluar, Shqipëria po vjetrohet me hapa të shpejtë pa pasur forcën ekonomike për ta përballuar lehtë këtë ndryshim.
Shqipëria nuk po përballet thjesht me një proces natyror plakjeje, por me një krizë demografike që kërkon ndërhyrje urgjente. Nëse në vitin 2015 vendi ishte ndër më të rinjtë në Europë, në vitin 2025 renditet në të njëjtin nivel me vende shumë më të vjetra, por me më pak burime për t’i bërë ballë këtij realiteti të ri.
Burimi: Monitor.al

