SHBA – Si ia doli Jeffrey Epstein, një person që kishte braktisur kolegjin dhe që filloi të jepte mësim matematikë dhe fizikë, të krijonte një pasuri të madhe? Të paktën në fillim, burri nga një familje e klasës punëtore në Coney Island, New York, pati fatin në anën e tij.

Nëpërmjet lidhjeve, Epstein gjeti një punë në bankën e investimeve Bear Stearns, gjë që i dha njohuri mbi financat e larta. Në vitin 1980, ai u bë ortak i kufizuar. Pas pesë vitesh, u largua nga banka, por përdori kontaktet dhe përvojën e krijuar atje si një shenjë besueshmërie.

Një figurë misterioze në financa

Pas largimit nga Bear Stearns, emri i Epstein u rishfaq në qarqet financiare, por ishte e vështirë të kuptohej se çfarë bënte realisht. Gazetarë dhe analistë financiarë e kanë përshkruar si një figurë të pakapshme, që linte shumë pak gjurmë në aktivitetet e tij.

Lidhjet e dyshuara me një skemë Ponzi

Në fund të viteve 1980, biznesmeni Steven Hoffenberg pretendoi se Epstein kishte punuar me të në Towers Financial Corporation, kompani që më vonë rezultoi një skemë Ponzi prej qindra milionë dollarësh. Hoffenberg u dënua me burg, ndërsa Epstein nuk u akuzua kurrë për këtë çështje dhe roli i tij mbeti i paqartë.

Lidhja me Les Wexner

Në mesin e viteve 1980, Epstein takoi miliarderin Les Wexner, pronar i markave të njohura të shitjes me pakicë. Epstein u prezantua si këshilltar financiar dhe në vitin 1991 mori kontrollin e çështjeve financiare personale të tij. Ai krijoi një portofol pronash dhe përfitoi ndjeshëm financiarisht.

Marrëdhënia mes tyre përfundoi në vitin 2007, kur Wexner deklaroi se Epstein kishte përvetësuar shuma të mëdha parash nga ai dhe familja e tij.

Sipas një raporti të prokurorëve amerikanë, një pjesë e madhe e pasurisë fillestare të Epstein lidhej me fondet që ai kishte përfituar ose përvetësuar gjatë kësaj periudhe.

Rrjeti i lidhjeve dhe besueshmëria

Fakti që Epstein kishte punuar për një figurë të fuqishme si Wexner i hapi dyer në rrethe të pasura dhe me ndikim. Ai krijoi një rrjet të gjerë klientësh dhe njohjesh, duke përfituar nga reputacioni që kishte ndërtuar.

Bankat dhe bashkëpunimet financiare

Epstein përdori shërbimet e bankës JPMorgan Chasenga viti 1998 deri në vitin 2013, kur llogaritë e tij u mbyllën. Më vonë, banka arriti marrëveshje financiare për të zgjidhur paditë që lidhen me këtë çështje.

Pas kësaj, ai hapi llogari në Deutsche Bank, e cila gjithashtu ndërpreu marrëdhënien me të disa vite më vonë dhe arriti një marrëveshje me viktimat pa pranuar fajin.

Fundi dhe pasuria

Epstein u arrestua më 6 korrik 2019, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve, dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht të po atij viti.

Dokumentet e trashëgimisë treguan se ai kishte asete me vlerë rreth 577 milionë dollarë, përfshirë para të gatshme, investime dhe prona në disa vende.

Një hetim i The New York Times në dhjetor 2025 arriti në përfundimin se pasuria e tij ishte ndërtuar kryesisht përmes mashtrimeve, përvetësimeve dhe manipulimeve financiare.

Burimi: DW

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *