Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pjesëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk janë marrë me trafik organesh, duke i cilësuar këto pretendime si një narrativë të ndërtuar kundër Kosovës.
Në një reagim publik, Kurti theksoi se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” nuk ka ekzistuar si vend për trafikim organesh dhe se akuza të tilla synojnë të dëmtojnë luftën çlirimtare të UÇK-së dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, si përgjigje ndaj represionit dhe shkeljes së të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë. Ai shtoi se proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë nuk mund të ndryshojnë karakterin çlirimtar të kësaj lufte.
Kurti i bëri këto deklarata në hapje të konferencës së dytë ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku u diskutua për dokumentimin e krimeve, drejtësinë tranzicionale dhe përballjen me të kaluarën.
Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e dokumentimit shkencor dhe institucional të krimeve të luftës, duke nënvizuar se përballja me të kaluarën është një proces i domosdoshëm për forcimin e shtetit dhe ndërtimin e së ardhmes.

